Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet politikë ne vend dhe procesin e dialogut.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK përkrahë procesin e dialogut dhe mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.
“Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.
Megjithatë i pari i LDK-së thotë se me Hovenierin ka diskutuar edhe për dy nenet e propozimit evropian që kjo parti ka kontestuar publikisht deri më tani.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”.
Abdixhiku thotë se themelet e bashkëpunimit me Amerikën janë historike dhe mbi to “do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”.
Ndryshe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte kritikuar marrëveshjen e pranuar nga kryeministri Kurti, në Bruksel në bazë të Planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Abdixhiku, me 4 mars të këtij viti e ka cilësuar si lëshimin më të madh dhe gabim historik në procesin e dialogut dakordimin e Kurtit për këtë plan.
“Pa paragjykim ndaj statusit’ – kështu nisë marrëveshja e Kurtit me Vuçiq. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut”, kishte deklaruar Abdixhiku./Telegrafi/