Tifozët prishtinas “Plisat” të cilët vazhdimisht kërkonin largimin e kryesisë së KB Prishtinës, pas transferimit të Drilon Hajrizit, duket se kanë zbutur qëndrimin e tyre karshi drejtuesve të klubit.
Së fundi në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook” kanë postuar një shkrim ku sqarohet se nuk janë kundër kryesisë së klubit.
“Duam të sqarojmë opinionin publik se situata e krijua në KB Prishtina ka devijuar prej asaj normale dhe si rezultat i frustrimit tonë ndaj Drilon Hajrizit. Në mënyrë njerëzore kërkojmë falje që për shkak të këtij frustrimi në afekt e kemi drejtuar mllefin tonë ndaj personave zyrtarë të klubit, për të cilët nuk kemi vërejtje për sa i takon punës dhe sukseseve. Pliast janë në përkrahje të klubit si gjithmonë. Edhe në këtë situatë duam të bëjmë zgjedhje të pranushme për të gjitha palët në bashkëpunim të ngushtë me kryesinë e klubit”, thuhet në njoftimin e tifozëve prishtinas, raporton GazetaOlle.com
Këta të fundit tash e disa javë në faqen e tyre zyrtare kanë publikuar shkrime kundër transferimit të Drilon Hajrizit.
Madje gjërat kanë shkuar aq larg sa Plisave, kanë shkruar se kryesia e klubit kanë dhënë dorëheqje gjë e cila nuk ndodhi.
Po kjo faqe e tifozëve të Plisave kishte publikuar foto të kryesisë së klubit duke kërkuar largimin e tyre pas transferimit të Hajrizit me mbishkrimin “Jashtë Prishtinës” duke iu referuar kryesisë së klubit.
Por siç duket gjërat kanë ndryshuar dhe Plisat janë pajtuar me vendimin e kryesisë së klubit që e kundërshtuan për javë të tëra.
Me një kërkim në faqen zyrtare të Plisave do të shihni se të gjitha postimet e mëparshme janë fshirë nga këta të fundit.