Telegrafi

Zbulohet statuja e Adem Jasharit në Aeroportin që mban emrin e tij

Është zbuluar statuja e heroit Adem Jashari, në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës që mban emrin e tij, pikërisht në ditëlindjen e tij më 28 nëntor.

Haldun Firat Kokturk, drejtor i aeroportit “Adem Jashari” tha se do të punojnë gjithmonë me qëllim të zhvillimit të Aeroportit, por edhe të të gjithë Kosovës.

Ndërsa, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, ka thënë se kjo vepër është madhështore. Ai tha se përkulen me pietet para të gjithë atyre që luftuan për lirinë e vendit.

E, veprimtari i yshtjes kombëtare, Adem Demaçi, tha se duhet zhvilluar ky Aeroport, sepse askush nuk luftoi vetëm për veten, por për gjithë popullin dhe vendin.

“Le ta ruajmë lirinë tonë, ta zhvillojmë vendin tonë që të ecim përpara sepse kjo ishte dëshira e të gjithë ushtarëve”, tha ai.

Këtë statujë e ka dhuruar Kompania Fortesa me ndihmë të Paper Communications.