Policia e Tropojës ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave në një banesë në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të policisë, në banesë u gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura.
Në momentin e ndërhyrjes, policia nuk kanë gjetur njeri në banesë.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të banesës, shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Valbonë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Q. B., 59 vjeç, banues në Shoshan, me detyrë elektricist. /Telegrafi/