Site icon Telegrafi

Zbulohet shkaktari i erës së rëndë në Vushtrri

Drejtori për Inspektime Gëzim Saraçi tha se kundërmimi që shqetësoi qytetarët e Vsuhtrrisw erdhi nga plehu i tepërt artificial.

“Pas inspektimeve sot kemi identifikuar se në fshatin Nadakofc është një kundërmim i rëndë, si pasojë e përdorimit të tepërt të plehrave artificiale. Do ta shikojmë se sa është e lejueshme apo e ndalueshme dhe konform ligjit do të merren masa”, tha Saraçi për KALLXO.com.

Saraçi tregoi se ende qytetarët e Vushtrrisë nuk janë njoftuar për zbulimin e shkaktarit të erës së keqe.

Informatën e drejtorit Saraçi e konsideron të saktë edhe Mehmet Selaci, kryetari i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

“Sot së bashku me drejtorin e inspeksionit Gëzim Saraçi dolëm ne terren për të verifikuar një informatë në lidhje me kundërmimin, informate e cila rezultoi e saktë, ku konstatuam se ky kundërmim po vjen si pasojë e përdorimit në sasi të madhe të plehrave në fshatin Nadakovc”, tha Selaci për KALLXO.com.

Për erën e rëndë që vinte në Vushtrri ishin ankuar qytetarët, ndërsa Selaci nga faqja e tij në Facebook u kishte bërë autoriteteve komunale thirrje që ta marrin vesh pse po ndodhte ky fenomen. /Telegrafi/

Exit mobile version