Site icon Telegrafi

Zbulohet plani për qytetin 3 miliardë dollarësh për të pastrehët në Kaliforni – aty do të kenë ‘gjumë të qetë’, ushqim dhe shërbime shëndetësore

Një grup aktivistësh në Kaliforni zbuluan planin e tyre për të krijuar një qytet privat 3 miliardë dollarë.

Dhe besojeni ose jo, kjo iniciativë miliardëshe është ndërmarrë për të siguruar akomodimin e 150,000 njerëzve të pastrehë të vendit.

Ka qenë Daune Nason, themeluesi i ‘Citizens Again’, ai që njoftoi të enjten propozimin për të luftuar krizën e vazhdueshme të pastrehëve që godet Kaliforninë, transmeton Telegrafi.

“Tash është koha për të menduar ndryshe për të zgjidhur krizën e të pastrehëve: në vend që të ndërtoni 4,000 strehime më shumë, ‘Citizens Again’ është duke bërë ndërtimin e një qyteti të tërë, duke ushqyer gjithë të pastrehët në Amerikë”, thuhet në njoftim për shtyp.

Sipas Nason, qyteti ‘Citizens Again’ do të ishte një proces më i shpejtë dhe më i efektshëm nga ai që kanë parashtruar politikanët.

”Bazuar në shkallën e vendosmërisë së qeverisë nga dhjetë vitet e fundit, do të duhen afër 200 vjet për të krijuar strehimore të mjaftueshme për të strehuar 90,000 të moshuar të pastrehë. Askush nuk dëshiron të presë kaq gjatë”, shkroi Nason.

Dhe në vend të “pritjes 200 vjeçare” grupi vlerëson se qyteti i ri do të jetë gati për rreth 10 vjet.

“Kam shikuar në disa lokacione të ndryshme në Kaliforni. Do të duhet të jetë në një klimë të moderuar, ndoshta disi klimë e një fushe. Do të më duhen rreth 300 hektarë”, tha Nason për Good Day Sacramento.

Grupi planifikon që ky qytet gjithashtu të ketë konvikte me 16 kate, duke u siguruar banorëve gjumë të qetë dhe me dushe private.

Qyteti pra pritet të ndërtohet në një hapësirë prej 300 hektarësh, ku përfshihen disa shërbime, një spital, kujdesin shëndetësor, shërbimet ushqimore, si dhe shumë shërbime tjera.

‘Citizens Again’ raporton se qeveria federale harxhoi 6.1 miliardë dollarë për të pastrehët, me rreth 78 për qind të shumës që shkon për ata që vuajnë nga sëmundjet kronike – pavarësisht se ai grup përbën vetëm 18 për qind të asaj popullate.

Buxheti i përgjithshëm raportohet të jetë rritur 7 për qind çdo vit, midis 2009 dhe 2018.
Këshilli Ndërinstitucional i Shteteve të Bashkuara për të pastrehët thotë se që nga janari i vitit 2018, Kalifornia kishte rreth 129.972 të pastrehë, përcjellë Telegrafi.

Nga ky numër i përgjithshëm, më shumë se 10,000 ishin veteranë dhe 34,000 ishin njerëz tjerë.

San Francisko, dhe pjesë të tjera të Kalifornisë, janë në mes të një beteje në rritje me një krizë të të pastrehëve.

San Francisko gjithashtu financoi një iniciativë për të punësuar njerëzit për të mos mbetur në rrugë.

Qyteti është përballur me kritika qeveritare dhe federale. Dhe Trump fajësoi ‘politikat liberale’ për krizën e tyre: “Kjo është një situatë e tmerrshme në Los Angeles dhe në San Francisko’’, tha Trump për këtë çështje.

Që atëherë ai i ka bërë të pastrehët në qytetet e mëdha të SHBA-së një çështje fushate që edhe për zgjedhjet e vitit 2020. 

Plani i ‘Citizens Again’ është vetëm një nga shumë alternativat që po paraqiten për të luftuar krizën e të pastrehëve në Kaliforni. /Telegrafi/

Exit mobile version