Telegrafi

Zbulohet plani i Barcelonës, katalunasit do ta ofrojnë një futbollist për t’i marrë shërbimet e Traores

Adama Traore do të largohet nga Wolverhampton Wanderers, në afatin kalimtar të janarit ose më së largu në verë.

Sulmuesi spanjoll po kërkohet me ngulm nga Tottenham Hotspur, por fuqishëm garës i është futur edhe Barcelona, skuadër nga ka dalë Traore.

25-vjeçari ka kontratë me Wolves deri në verën e vitit 2023 dhe nuk ka pranuar rinovimin, derisa klubi synon të fitojë mbi 20 milionë euro nga shitja e tij.

Barcelona ka një plan konkret për afrimin e lojtarit të cilin po e sheh si zëvendësuesin adekuat të Ousmane Dembele i cili pritet të largohet nga klubi në verë.

Francisco Trincao dhe Adama Traore

Gjiganti katalunas po mendon që t’ia ofrojnë Wolverhamptonit kartonin e portugezit Francisco Trincao në këmbim të Adama Traores.

Trincao është i huazuar te Wolves nga Barcelona, me klubin anglez që ka të drejtën e blerjes për 20 milionë euro.

Kësisoj dy klubet janë duke diskutuar tani për shkëmbimin e lojtarëve, me Trincaon që do të mbetej në Angli dhe Traoren që do të rikthej në Camp Nou.

Francisco Trincao dhe Adama Traore

Adama Traore e ka nisur karrierën te Barcelona, teksa në vitin 2015 ishte larguar për 10 milionë euro në drejtim të Aston Villës.

Lojtari pas Aston Villës bëri karrierë edhe me Middlesbrough para se në vitin 2018 të bashkohej me Wolves. /Telegrafi/