Është dashur një vit hetime intensive që Policia e Fierit të zbardh një krim të rëndë të ndodhur në familjen e Namik Velajt.
Ndarja nga jeta e bashkëshortes së 75-vjeçarit, Verke Velaj në janar të vitit 2017 u trajtua si një vdekje natyrale pasi vuante nga hipertensioni dhe problemet me zemrën.
Por dyshimet e vëllezërve të viktimës bën që Prokuroria të zbulojë detaje tronditëse nga hetimi i zgjeruar i kësaj çështje dhe përgjimi i familjarëve të 74-vjeçares.
Vdekja e Verke Velaj në të vërtetë rezulton të jetë një krim makabër në familje, pasi ka qenë bashkëshorti i saj Namik Velaj që i ka marrë jetën duke e mbytur me litar.
Prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muci dhe stafi i tij kanë zbuluar se Namik Velaj pasi e kishte mbytur me litar bashkëshorten, me gjakftohtësi kishte kryer edhe të gjitha ritet duke e veshur dhe rregulluar për të kryer ceremoninë e varrimit.
Madje pas vrasjes së bashkëshortes, 75-vjeçari ka njoftuar mjekun e familjes dhe mjekun përgjegjës dhe më pas është firmosur kartela e vdekjes, duke shuar çdo dyshim për aktin e tij makabër.
Mësohet se fillimisht disa të afërm të viktimës gjatë ceremonisë së varrimit kanë konstatuar shenja të zeza mbytjeje rreth qafës së 74-vjeçares. Ata janë përpjekur të zbulojnë shenjat duke i hequr shallin që mbante në qaf, por në këtë moment ka ndërhyrë autori Namik Velaj duke u kërkuar që të mos e prekin shallin pasi e kishte amanet nga e bija.
Pikërisht insistimi i tij ka ngjallur dyshime te njerëzit më të afërm të Verke Velaj. Vëllai i 74 vjeçares, Sami Muskaj, tre ditë pas ngjarjes ka shkuar në Policinë e Fierit për të kryerkallëzim penal, raporton Gazet Shqip.
Në saj të hetimeve të nisura u vendosën në përgjim familjarët e viktimës dhe Prokuroria mësoi se vëllai i autorit dhe kunata e tij ishin në dijeni të krimit të rëndë, ndërsa rezulton se të gjithë familjarët ishin konsultuar për të mbajtur të gjithë të njëjtin qëndrim.
Por ngjarja ka përmasa edhe më të rënda, pasi edhe mjekët kanë mbuluar krimin, duke shkruar në kartelë se vdekja është natyrale. Kjo është arsyeja përse prokuroria azkuon mjekun Ilir Tanku, i cili ka firmosur kartelën për “shpërdorim detyre”.
Mjeku Tanku ka bërë kqyrjen e trupit dhe në dijeni të fakteve ka shkruar në kartelë se ka kryer verifikimet dhe se nuk ka konstatuar shenja dhune.
I gjendur përballë këtyre provave prokurori Besnik Muci ka ballafaquar personat që kishte dijeni dhe pas dëshmive kontradiktore, familjarët e viktimës dhe autorit kanë pranuar dyshimet për vrasje.
Foto: Ilustrim