Site icon Telegrafi

Zbulohet klauzola që Mbappe kërkon të përfshihet në kontratën e tij të ardhshme me PSG-në apo Real Madridin

Kylian Mbappe e ka bërë të qartë se cila klauzolë dëshiron të përfshihet në kontratën e tij të ardhshme, nëse nënshkruan rinovimin me Paris Saint-Germain po një transferim te Real Madridi.

Sulmuesi francez ëndërron të garojë në Lojërat Olimpike të vitit 2024, që do të zhvillohen në qytetin e tij të lindjes, Paris.

Nëna e tij, Fayza Lamari, së fundmi ka folur për gazetën franceze Le Parisien dhe ka theksuar se Mbappe është i vendosur për të konkurruar në këto Lojëra Olimpike.

“Kjo do të jetë në kontratën e tij.  Ata pastaj do të duhet ta zgjedhin atë. Lojërat Olimpike janë në qytetin e tij të lindjes dhe PSG nuk është kundër që ai të konkurrojë në to”, ka thënë Fayza Lamari.

Lexo po ashtu Nëna e Mbappes flet për rinovimin me PSG-në: Ne po flasim, gjithçka po shkon mirë

Pati pak tension mes PSG-së dhe familjes Mbappe pasi klubi parisian nuk e lejoi atë të garonte në Lojërat Olimpike të Tokios këtë vit.

Pra, nëse PSG ose Real Madrid duan të tundojnë Mbappen, ata tani e dinë se çfarë duhet të përfshijnë në marrëveshje. Edhe pse, nuk do të jetë ideale për asnjërin klub për shkak të orareve të ngjeshura, ato do të detyrohen ta dëgjojnë dëshirën e lojtarit.

Ëndrra olimpike e Mbappes

Mbappe shpjegoi dëshirën e tij për të garuar në Lojërat në një letër të hapur për mediumin L’Equipe.

“Shikoni çfarë kanë arritur skuadrat franceze. Fituam në volejboll, në hendboll, ishim finalistë në basketboll kundër Shteteve të Bashkuara. Ata shkuan në kërkim të medaljes së artë dhe i sollën lavdi Francës”, ka shkruar fillimisht Mbappe.

“Shpresoj ta përjetoj këtë dhe të bëj të njëjtën gjë në vitin 2024, me një ekip që bashkon lojtarët më të mirë që kemi në atë moment”.

Interesimi i Mbappe për Olimpiadën filloi në moshën 13-vjeçare, kur ai ndoqi Lojërat Olimpike të vitit 2012 në Londër.

“Atëherë thashë me vete se edhe unë dua të jem atje. Dua të përjetoj Lojërat Olimpike të Parisit”.

“Duhet të kem qenë 13 vjeç, ende shumë i ri dhe më kujtohen orët para garave në Londër”.

“Isha vërtet i paduruar të shihja yje si LeBron James dhe Kobe Bryant të konkurronin për SHBA-në në basketboll.

“Doja të shihja Usain Bolt aty në pistën e atletikës duke bërë 100 metra dhe 200 metra”, përfundoi letrën e tij sulmuesi francez. /Telegrafi/

Exit mobile version