Site icon Telegrafi

Zbulohet identiteti i pronarit të jahtit të braktisur në Shëngjin

Në jahtin e gjetur pak ditë më parë 12 milje larg Shëngjinit, Policia Kufitare gjeti disa dokumente që mbanin emrin e një shtetasi turk, Sevgin Javuz. Ajo hodhi dyshimet se ai mund të ishte pronari i mundshëm, por pa arritur t’a konfirmojë dot për shkak se në jaht nuk ndodhej askush.

Për turkun Sevgin Javuz, policia ka nisur kërkimet, në bashkëpunim me homologët e saj në Ankara si dhe me Interpol Tirana.

Por, Top Channel, ka arritur të zbulojë se kush është pronari i jahtit të quajtur Atik Bey, i cili është ankorur në portin e Shëngjinit.

Ne kontaktuam me kompaninë Tur Marine në Turqi, e cila rezulton se jahtin e ka shitur vitin e shkuar tek një biznesmen turk.

Nga të dhënat e monitorimi të lundrimit të mjeteve, jahti Atik Bey, në datën 30 gusht ka qenë në Budva. Po në këtë datë, në Budva të Malit të Zi, ka qenë edhe pronari i saj, Nedim Akyuz, i cili ka postuar një foto të tijën në Instagram.

Javën e fundit të gushtit, jahti Atik Bey, ka qenë duke lundruar në ujërat territoriale të Kroacisë, siç shihet në foton e destinacioneve të regjistruara nga Vessel Finder. Në datën 24 gusht, Nedim Akyuz, ka hedhur një tjetër foto në Instagram duke lundruar në detin poshtë një ure në Kroaci, e cila quhet ura Krka.

Lexo po ashtu Në kërkim të biznesmenit turk - jahti i tij luksoz braktiset në Shëngjin, asnjë gjurmë nga milioneri

Një tjetër system monitorimi i cili regjistron lundrimet e mjeteve detare, tregon që në datën 3 korrik të këtij vitit, jahti Atik Bey, ka qenë në Naxo të Greqisë. Po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën datë, pronari i saj Nedim Akyuz ka hedhur një tjetër foto në rrjetin social Instagram.

Vitin e kaluar, kompania që ka shitur Jahtin e llojit kataraman, ka postuar një fotot të tijën, ku është përmendur edhe emrin e jahtit dhe të pronarit të saj.

Më pas, e njëjta kompani ka postuar një video në Instagram ku shkruhet emri i jahtit dhe shihet dikush që luan golf mbi të. Sipas kërkimeve, ai rezulton të jetë Nedim Akyuz.

Ky i fundit, nga kërkimet rezulton se është biznesmen në fushën e tekstileve i cili e zhvillon aktivitetin e tij në Turqi. Ajo çka ende mbetet mister është nëse ka qenë Sevgin Yavuz, i cili drejtonte jahtin atë ditë, apo ka qenë dikush tjetër. /Telegrafi/

Exit mobile version