Telegrafi

Zbulohet identiteti i “Djalit në Kuti” – ai ishte vrarë para 66 vjetëve

Emri i tij ishte Joseph Augustus Zarelli.

Pas afro 66 viteve kur trupi i rrahur i një djaloshi ishte gjetur i futur brenda një kutie prej kartoni, nga policia e Philadelphia thonë se ata më në fund e kanë zbuluar misterin kryesor të rastit më famëkeq të qytetit: Identitetin e viktimës.

Me zbulimin e emrit për publikun gjatë ditës së enjte, autoritetet shpresojnë se kjo gjë do t’i sjellë ata një hap më afër vrasësit dhe që viktimës t’i japin dinjitetin e tij – i cili për shumë gjenerata të banorëve të qytetit njihet si “Djali në Kuti”, raporton ABC News, transmeton Telegrafi.

Komisionerja e Policisë së Filadelfias, Danielle Outlaw, në një konferencë shtypi deklaroi, “Kur njerëzit mendojnë për djalin në kuti, ata e ndjejnë një mërzi të madhe, jo vetëm se fëmija ishte vrarë, por për shkak se i tërë identiteti i tij dhe e drejta e tij për të ekzistuar është marrë nga ai”.

Ajo tha se vrasja më e vjetër e pazgjidhur e qytetit ka “përndjekur këtë komunitet, departamentin e policisë së Philadelphia, kombin tonë dhe botën për më shumë se 6 dekada”.

 

Hetimi mbi vrasjen mbetet akoma i hapur, dhe autoritetet thanë se ata shpresojnë se publikimi i emrit të Joseph mund të nxiste një rund të ri të hetimeve. Por ata paralajmëruan se kalimi i kohës e ndërlikon detyrën.

“Do të jetë një betejë e vështirë për neve që përfundimisht të përcaktojmë se kush e shkaktoi vdekjen e këtij fëmije”, tha kapiteni Jason Smith, oficer komandues i njësisë së vrasjeve.

“Mund të ndodhë që ne nuk mund të bëjmë një arrestim e as të bëjmë identifikimin e vrasësit. Por ne do të bëjmë çmos për të tentuar që ta bëjmë këtë”, shtoi tutje ai.

Policia tha se të dy prindërit e Joseph kanë vdekur, por ai ka vëllezër e motra të cilët janë akoma gjallë. Ata deklaruan se familja e tij kishte jetuar në pjesën perëndimore të Philadelphia. /Telegrafi/