Telegrafi

Zbulohet depoja me tritol, granata e armë zjarri në Shkodër, arrestohet 68-vjeçari

Policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës, ndërsa është vënë në pranga poseduesi.

Policia bën të ditur se kapi në flagrancë shtetasin me iniciale Gj. M., 68 vjeç, në fshatin Gimaj duke u kujdesur për rreth 120 bimë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë, pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij u zbulua edhe një depo me tritol, granata e armë zjarri.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese tritol, granata, fitil zjarrpërcjellës dhe armë zjarri, me qëllim për t’ua shitur personave me precedent kriminal që ushtrojnë veprimtari në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Konglomerat”.

Gjatë operacionit, në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin Gj. M., 68 vjeç, banues në fshatin Gimaj, Shkodër, pasi në momentin e ndërhyrjes nga Policia, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë kanabisi që kishte kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tij.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar”, njofton policia. /Telegrafi/