Telegrafi

Zbulohet arsyeja e vërtetë pse Williams refuzoi ofertën e Barcelonës këtë verë

Nico Williams ka qenë kryetemë e mediave botërore gjatë tërë verës pasi spekulohej për një largim të tij nga Athletic Bilbao, megjithatë në fund asgjë nuk ndodhi dhe ai mbeti pjesë e baskëve.

Barcelona ishte ekipi që kishte shtyrë më së shumti për transferimin e tij, ndërsa interesim kishte pasur edhe nga ekipet e Ligës Premier.

Në një intervistë për Cadena SER, agjenti i Williams, Felix Tainta, ka shpjeguar dramën që e rrethoi 22-vjeçarin gjatë kësaj vere, duke shpjeguar arsyen se pse ai vendosi të qëndrojë tek ekipi aktual.

“Djaloshi ka pasur një vit të jashtëzakonshëm, për mua, ka qenë lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian. Logjikisht, ne kishim shumë lëvizje dhe udhëtime, por në fund të afatit kalimtar ishim disi të stresuar”.

“Ai vendosi që të vazhdonte, ai dëshiroi që të vazhdonte për një vit tjetër (tek Bilbao). Ai vendosi të qëndronte dhe nuk ka pasur ndonjë efekt domino”, ka thënë Tainta.

Nuk do të ishte befasi nëse emri i Williams do të lakohej sërish në tregun e transferimeve edhe vitin e ardhshëm.

Për momentin, Athletic Bilbao do t’i shijojë shërbimet e lojtarit edhe për sezonin 2024/2025 aty ku do të synojnë që të kapin sërish Evropën./Telegrafi/