Telegrafi

Zbulohen “tri qëllimet kryesore” të sekretarit Blinken në vizitën e tij këtë javë në Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka mbërritur sot në Arabinë Saudite, ndalesa e tij e parë në një turne më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Vizita e tij vjen ndërsa Uashingtoni përpiqet të çojë përpara negociatat për një marrëveshje normalizimi midis Mbretërisë dhe Izraelit, si dhe të bëjë përparim në bisedimet për qeverisjen e Gazës, pas luftës.

Udhëtimi i pestë i diplomatit më të lartë amerikan në rajon që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor vjen në një moment të rrezikshëm dhe mes sulmeve hakmarrëse të SHBA-së ndaj milicisë së mbështetur nga Irani në të gjithë Sirinë, Irakun dhe Jemenin, pas një sulmi me dron javën e kaluar në Jordani që vrau tre trupa amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Blinken do të vizitojë gjithashtu Egjiptin, Katarin dhe Izraelin më vonë këtë javë dhe për të shtyrë përpara bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari me Hamasin për të arritur një marrëveshje pengjesh.

Lexo po ashtu Vijnë paralajmërimet e para në rast të zgjerimit të operacionit tokësor izraelit në Rafah

Në Riad, ai pritej të takohej me sundimtarin de fakto, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, së bashku me homologun e tij saudit, ministrin e jashtëm, Princin Faisal bin Farhan Al Saud.

Por çfarë po kërkon të arrijë Blinken në vizitën e tij të fundit atje?

Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit ka përshkruar tre qëllime kryesore të udhëtimit:

Për të nxitur një marrëveshje pengjesh dhe për armëpushim;

Për të vazhduar diskutimet me fqinjët për “ditën pas luftës” në Gaza;

Për t’u treguar drejtpërdrejt vendeve në rajon se SHBA nuk dëshiron përshkallëzim rajonal, por do t’i përgjigjet sulmeve ndaj personelit ose interesave të saj. /Telegrafi/