Cyrihu dhe Singapori konsiderohen si qytetet më të shtrenjta për të jetuar ndërsa Damasku në Siri vlerësohet si qyteti më i lirë për të jetuar.
Sipas një raporti të ri të publikuar sot me 30 nëntor, Cyrihu dhe Singapori, janë qytetet më të shtrenjta në botë për të jetuar.
Vitin e kaluar vendi i parë i takonte New Yorkut, i cili tani ka zbritur në pozitën e dytë, së bashku me Gjenevën.
Vendi i tretë i takon Hong Kongut, ndërsa Londra paraqitet në pozitën e nëntë, raporton dailymail.
Raportohet se qyteti më i lirë është shpallur kryeqyteti i Sirisë, Damasku dhe i dyti më i liri, kryeqyteti i Iranit, Teherani.
Kjo renditje u hartua duke analizuar çmimin e 200 produkteve në 173 qytete, duke përfshirë ushqimin, veshjen, karburantet dhe faturat e shërbimeve.
Ky raport arriti në përfundimin se kriza globale e kostos së jetesës është ende në vazhdim, pasi çmimi i mallrave dhe shërbimeve të përditshme po rritet mesatarisht me 7.4 për qind nga viti në vit.
Megjithatë, sipas tij, kostot e energjisë dhe ujit, janë më pak të goditura nga inflacioni.
Kjo nënkupton se po lehtësohet rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Sondazhi u krye para fillimit të luftës Izrael-Hamas, e cila ka ndikuar në kurset e këmbimit në shtetin izraelit dhe mund të ketë ndikuar edhe në rritjen e çmimeve, theksojnë studiuesit.
Sipas Upsana Dutt, rritjet e çmimeve janë lehtësuar që kur Kina hoqi kufizimet për COVID-19 vitin e kaluar dhe që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. /Telegrafi/