Site icon Telegrafi

Zbulohen prapaskenat: Atletico Madridi i ka raportuar në UEFA katër yjet e Real Madridit

Tensionet ishin në maksimum gjatë duelit kthyes mes Atletico Madridit dhe Real Madridit në 1/8-tën e Ligës së Kampionëve dhe ato duket se nuk janë qetësuar ende, pasi incidentet e asaj nate tashmë i janë bartur UEFA-s. 

Vinicius Junior ishte lojtari më i diskutuar pasi ai raportohet se ka provokuar gjashtë herë tifozët e Atletico Madridit pas ndeshjes. 

Megjithatë, duket se braziliani nuk ishte lojtari i vetëm i cili e ‘çmendi’ turmën e tifozëve në ‘Metropolitano’. 

Sipas një raportimi nga El Club Uria, edhe tre lojtarë të tjerë janë raportuar në UEFA nga Atletico Madridi: Antonio Rudiger, Dani Ceballos dhe Kylian Mbappe. 

Rudiger bëri një gjest që synonte prerjen e fytit në drejtim të tifozëve vendas, teksa Ceballos dyshohet se ka ‘prerë mëngët’ e fanellës si akt provokimi. 

Në ndërkohë Mbappe thuhet se ka prekur pjesët private të trupit, një veprim për të cilin Diego Simeone ishte dënuar kur e kishte bërë ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve. 

Asnjëri nga këta katër lojtarë nuk janë dënuar nga UEFA për këto veprime, ani pse nuk është vendosur ende nëse organi drejtues i futbollit evropian ka dijeni për ato. 

Lexo po ashtu Real Madridi më në fund e ka gjetur zëvendësuesin ideal të Kroosit

Pavarësisht kësaj, Atletico Madridi i ka vënë në dijeni ata tani dhe besojnë se rasti më serioz është ai që përfshin Rudiger. 

Mbetet të shihet nëse ndonjëri nga këta katër lojtarë do të përballet me ndonjë dënim nga UEFA për këto incidente, ani pse zyrtarët e klubit besojnë se asgjë e madhe nuk do të ndodhë nga ky raportim./Telegrafi/

Exit mobile version