Site icon Telegrafi

Zbulohen dy klubet që ofruan të paguanin klauzolën e lirimit prej 10 milionë eurosh të Ruben Amorimit

Ruben Amorim refuzoi dy klube përpara se të pranonte të largohej nga Sporting Lisbona për të marrë drejtimin si trajner i Manchester United.

West Ham dhe Al-Nassr ishin ofruar për të aktivizuar klauzolën e lirimit prej 10 milionë euro në kontratën e tij me Sporting Lisbonën, shkruan A Bola, por të dyja nuk arritën ta bindin Amorimin të largohej nga skuadra portugeze.

Amorimi ka thënë se po priste për një projekt më atraktiv dhe se puna në Man United ishte e vetmja që donte.

Klubi i parë që ra në kontakt me Sportingun ishte West Ham. Amorim udhëtoi për në Londër për të diskutuar vizionin dhe kushtet e klubit, por e refuzoi ofertën e tyre pasi nuk përputhej me qëllimet e tij.

I dyti ishte Al-Nassr i Cristiano Ronaldos, të cilët ishin gati t’i paguanin atij 20 milionë euro në vit.

Duke iu referuar ofertës së Al-Nassr, Amorim tha se ai kishte një ofertë nga një klub që ofronte tre herë më shumë se sa fiton si zëvendësues i Erik ten Hag si trajner i “Djajve të Kuq”.

 

Amorimit i kanë mbetur edhe dy ndeshje në Sporting Lisbonën përpara se të marrë drejtimin në “Old Trafford” më 11 nëntor.

Ndeshja e parë do të jetë një ndeshje e Ligës së Kampionëve kundër rivalëve të ardhshëm Manchester City dhe e dyta do të jetë ndeshja e tij e fundit në kampionat kundër Bragës. /Telegrafi/

Exit mobile version