Telegrafi

Zbulohen detaje të reja rreth dronit që ra në Zagreb – barte një “bombë ajrore” që shpërtheu kur u përplas në tokë

Droni që u rrëzua në Zagreb më 10 mars ishte i armatosur me një “bombë ajrore” që shpërtheu kur u përplas në tokë.

Megjithatë, sipas Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Zagreb, ai nuk përmbante eksploziv ushtarak si TNT, përcjell Telegrafi.

Këto detaje janë bërë të ditur gjatë një konference për shtyp ku janë zbuluar detaje të reja rreth kësaj ngjarje e cila kishte nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë Kroacisë.

Lexo po ashtu Rrëzimi misterioz i fluturakes në Zagreb të Kroacisë, një operacion i madh në vendin e ngjarjes - vijnë deklaratat nga NATO, Rumania dhe Hungaria

Sipas Mile Tomiç, shef i Departamentit të Monitorimit dhe Menaxhimit në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura Kroate, në vendin e rrëzimit të dronit u gjetën mbetjet e bombës ajrore OFAB 100-120 të vendosur në pjesën e përparme të bombës ajrore.

Ndërsa ekspertja kryesore e Qendrës për Hetime, Hulumtime dhe Ekspertiza Mjekoligjore “Ivan Vuçetiq”, Ivana Baçiq, ka raportuar se nuk janë vërejtur gjurmë të eksplozivit ushtarak apo komercial.

Lexo po ashtu Një fluturake e panjohur rrëzohet në Zagreb të Kroacisë, ekspertët dyshojnë se ishte ruse dhe fluturoi nga Ukraina

Siç theksojnë tutje mediat kroate, u vërtetua pa mëdyshje se kishte një shpërthim dhe në bombën ajrore kishte “një substancë me energji të lartë, por jokonvencionale, e cila u dekompozua plotësisht në shpërthim, gjë që e bën të pamundur identifikimin e saj”.

Në këtë drejtim, Jurica Iliç, Prokurore e Shtetit në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Qarkut të Zagrebit, theksoi se kjo ishte një vepër penale e rëndë kundër sigurisë publike.

Ndërkohë Jadranko Karlushiq, shef i Sektorit të Policisë Ushtarake Kriminale, raportoi se dëmi i vlerësuar ishte rreth 80 mijë euro. /Telegrafi/