Kylian Mbappe ka qenë emri më i përfolur në afatin kalimtar të verës, me sulmuesin francez që e kishte të paqartë të ardhmen e tij.
Sulmuesi francez mbeti një futbollist i lirë dhe kërkohej me ngulm nga Real Madridi, por krejt në fund vendosi të vazhdonte kontratën deri në vitin 2025 me parisienët.
Shumë bujë u bë rreth transferimit të francezit në ‘Santiago Bernabeu’, pasi tifozët e Realit e llogaritnin si fakt të kryer se do ta shohin atë me fanellën e bardhë.
Por tani gazeta prestigjioze franceze L’Equipe ka zbuluar detaje të reja në kontratën e Mbappes.
Gjithnjë sipas raportimeve nga L’Equipe, sulmuesi francez, nënshkroi për dy sezone, me një vit më shumë opsional, por me klauzolën që PSG nuk mund ta zgjaste pa pëlqimin e lojtarit.
Kjo do të thotë se Mbappe, nëse nuk dëshiron, nuk qëndron vitin e tretë në kryeqytetin francez.
“Sezoni i fundit ai 2024/25 varet vetëm nga Mbappe nëse dëshiron ta vazhdoj qëndrimin në Paris ose jo”, i ka thënë një burim brenda PSG-së gazetës franceze.
Ky lajm i ka dhënë shpresë Real Madridit dhe tifozëve të saj për të nisur një tjetër sulm për transferimin e Mbappes në Santiago Bernabeu në vitin 2024. /Telegrafi/