Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar mëngjesin e kësaj të mërkure se në malin e Shpiragut në Berat është gjetur një sasi e madhe gazi e nafte e cilësisë së lartë.
Ai shkruan se pas një pune thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra thellësi, tashmë po përgatitet edhe testi përfundimtar i i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e naftës dhe gazit në sipërfaqe, gjë që në rast se do të rezultojë e suksesshme sipas kryeministrit do të sjellë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.
“Mirëmëngjes ! Dhe nga vizita në kantierin e një shprese të madhe për Shqipërinë 2030, ku pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama. /Telegrafi/