Zbukurimet për Festën e fund vitit ndajnë qytetarët. Përderisa qendra e qytetit të Shkupit është e stolisur me ndriçim edhe vende të posaçme argëtimi, në Çarshinë e Shkupit atmosfera festive nuk vërehet aspak. Qytetarët thonë se veprimi i këtillë i autoriteteve është i gabuar.
“Në që jemi në moshë shumë e shumë nuk na intereson kjo punë, por për rininë duhet të jetë pak më ekskluzive, që ta ndjejnë atmosferën pak më të mirë. E tani sipas shijes së secilit. Por me të drejtë duhet të jetë. Pse çfarë ka të keqe prej zbukurimit?
“Mirë është nuk e di nuk kam fjalë”.
“Nuk është mirë, mendoj jo vetëm këtu por deri në Karposh 3. Në Karposh 3 disi njerëzit janë harruar. Nuk jam i kënaqur”.
“Çarshia është e bukur edhe ashtu vetvetiu, por kanë mundur ta stolisin, nuk e di pse nuk e kanë bërë?”.
Qytetarët që më shumë frekuentojnë pjesën e qendrës së qytetit, vlerësojnë se Shkupi duket shkëlqyeshëm, pavarësisht se mungon atmosfera e shumë viteve më parë.
“Qytet i Mondenës, si të jem në Londër, është i shkëlqyer // Atmosfera ndjehet! A e shikoni qyteti është plotë, bëhet blerje, shitoret janë plotë me njerëz edhe pse themi nuk kemi, por kemi shpirtin që nuk na braktis. Të gjithë të rinjtë e dinë se ku do të shkojnë, ne më të moshuarit tërhiqemi se nuk jemi për në ato vende, por të rinjtë e dinë, ju lumtë”.
“Më parë, një muaj më herët përgatiteshim për Vitin e Ri, tani askujt nuk i intereson. As neve të rinjve as të moshuarve. Nuk e di se pse!
Nga Komuna e Çairit deklarojnë se janë kujdesur vetëm për “Sheshin Skënderbeu”, pasi pjesa e brendshme e Çarshisë i takon qytetit të Shkupit. Nga Qytetit i Shkupit thonë se me planin për stolisjen e qytetit, e kanë parashikuar hyrjen e Çarshisë.
“Pjesa e brendshme e Çarshisë së Shkupit është më shumë kompetencë e Ministrisë së Kulturës dhe e Ministrisë për Transport dhe Lidhje dhe Qytetit të Shkupit të cilët gjatë këtyre festave duhet të kujdesen për dekorimin e saj, ashtu siç kujdesen edhe për dekorimin e shesheve të tjera dhe elementeve të tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit të Shkupit. Si komunë e Çairit nuk e kemi anashkaluar “Sheshin Skënderbeu” në suaza të mundësive tona buxhetore”, deklaroi Kushtrim Alla, Komuna e Çairit.
Sa i përket pjesës së Çarshisë së Vjetër, qyteti ka dekoruar hapësirën para Galerisë Kombëtare “Çifte Amam”, bulevardin “Kërste Misirkov” i cili ndodhet afër Qendrës Tregtare “Mavrovasja” si dhe hyrjen në Çarshinë e Vjetër. Sipas dokumentacionit teknik të kontratës, këto hapësira janë stolisur me figura ndriçuese, qiell të ndriçuar, llambadarë, zbukurime, si dhe një figurë 3D e ndriçuar e cila simbolizon vitin 2020 – thonë nga Qyteti i Shkupit.
Nga qyteti i Shkupit shprehen se fokusin për dekorim e kanë pasur tek Qendra e qytetit pasi aktivitetet kryesore në natën e ndërrimit të viteve do të zhvillohen aty./Alsat/