Telegrafi

Zbritjet, dekori i fundvitit

Para festave të fundvitit, kompani të shumta tregtare në Kosovë kanë filluar një fushatë marketingu, me anë të cilës informojnë qytetarët për produkte të shumta për të cilat kanë bërë zbritje të mëdha. Zbritjet janë nga më të ndryshmet duke filluar nga 10 për qind deri në 70 për qind. Por, jo çdo herë këto zbritje janë reale.

Sadik Kastrati nga qyteti i Prishtinës, tregon se është gjendur para një marketingu të rrejshëm që kanë bërë dyqanet në kryeqytet.

“Këto shitoret që po na mbushin me fletushka në dyert e banesës, janë krejt te rrejshme. Ta tregoj një rast: djali im ka shkuar që të blejë një produkt i cili ka qenë në zbritje. Kur e ka marr produktin dhe ka shkuar në arka për ta paguar çmimin, i ka dal të mos jetë në zbritje. Nuk ju besoj fare”, thotë ai.

Edhe Adelina thotë se ka hasur në rastet kur cilat është shkruar se ka zbritje ndërkohë që çmimi ka qenë po ai i mëhershmi.

“Krejt lokalet kanë marketing se kanë zbritje deri në 70 për qind, por sa kam mundur më vërejt kjo nuk është reale. Zakonisht ata e dinë që për fundvit njerëzit bëjnë shpenzime më shumë dhe si shikojnë çmimet, prandaj nisin me këto reklama të rrejshme”, thotë ajo.

Sipas Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit në Kosovë, është mashtrim që dënohet nëse një kompani bën reklamë që përmban informata të pasakta dhe rrjedhimisht ka mundësi të mashtrojë konsumatorin e rëndomtë. Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se tregtarët po shkelin ligjet në fuqi duke mashtruar konsumatorët.

“Ka edhe ulje reale që shkojnë në favor reciprok – edhe në favor të kompanisë e edhe të konsumatorit – por, një pjesë më e madhe janë zbritje mashtruese duke abuzuar me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit”, thotë Kaçaniku, për të shtuar se institucionet në Kosovë, në veçanti mekanizmat e inspektimit të tregut, nuk kanë ndërmarrë asgjë për këtë.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, gjobat për ato kompani të cilët identifikohen se kanë bërë reklama mashtruese, janë prej njëmijë deri në tremijë euro. /REL/