Telegrafi

Zaza e nis keq me West Hamin, tifozët e sulmojnë në rrjetet sociale

Ka nga ata futbollistë që u mjaftojnë vetëm dy ndeshje për të fituar zemrat e tifozëve të tyre të rinj, por ka edhe nga ata futbollistë që në vetëm dy ndeshje përfundojnë në qendër të kritikave për paraqitjet e dobëta.

Kjo e dyta po i ndodh Simone Zazas, sulmuesit të përfaqësueses italiane i cili në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës u transferua nga Juventusi te West Hami.

Në takimin e tij të parë me fanellën e skuadrës londineze Zaza u aktivizua për 77 minuta në humbjen 2-4 që ” Hammers” pësuan në shtëpi ndaj Watfordit.

Ndërkohë këtë fundjavë për vetëm 1 pjesë loje qëndroi në fushë 25-vjeçari, në humbjen që West Ham pësoi sërish me shifrat 4-2 ndaj West Bromwich.

Tifozët e West Hamit prisnin shumë nga Zaza pasi investimi që ka bërë klubi për italianin është vërtetë i madh.

Por pas paraqitjes së dytë radhazi shumë të dobët të lojtarit fansat e skuadrës londineze kanë shpërthyer në rrjetet sociale me ofendime të shumta në drejtim të italianit.

Juventusi dëshiron 25 milionë funte për Zazan, unë nuk do ta paguaja as 25 qindarka ishte komenti i një tifozi në Twitter.

Në fakt kartoni i Simone Zazas do t’i kushtojë skuadrës angleze 20 milionë euro plus 3 milionë të tjera në formë bonusesh, me West Hamin që është i detyruar ta blejë verën e ardhshme.

Zaza mund të jetë dështimi më i madh i klubit tonë gjatë të gjitha kohërave, shkruan një tjetër fans. Me pak fjalë për Simone Zazën aventura në Ligwn Premier nuk ka nisur aspak mirë.