Site icon Telegrafi

Zaturoska: Propozimi i deputetes Doda për referendum të Iliridës, është çmimi i lojës së Zaevit me Deklaratën shqiptare

Me refuzimin për ta hedhur poshtë platformën e Tiranës, Zoran Zaev e hapi kutinë e Pandorës për ridefinim të Republikës së Maqedonisë, ndërsa me fillimin e negociatave dhe me qëndrimin e vet pozitiv ndaj saj, la mundësi që individë apo grupe gjithnjë e më hapur ta mohojnë identitetin maqedonas dhe të dërgojnë kërcënime, duke shprehur pretendime territoriale, konsideron OBRM-PDUKM, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Deputetja shqiptare, Mesila Doda është e fundit nga të shumtët të cilët haptazi qëndruan kundër intersave nacionale maqedonase. Ajo e porositi Zaevin se nëse tërhiqet nga platforma e Tiranës, duhet të mblidhen forcat mbarëshqiptare politike në mënyrë që të ndihmohen të mbahet referendum për Iliridën. Ai është çmimi i lojës së Zaevit me platformën e Tiranës, e cila është në kundërshtim me intersat më të larta shtetërore dhe nacionale”, tha Liljana Zaturoska në konferencën e sotme për shtyp të partisë.

Lexo po ashtu Doda: Nëse Zaev tërhiqet do të kërkojmë mëvetësimin e Iliridës (Video)

Ajo më tutje në konferencën për shtyp theksoi se “nuk mundet tre nënshkrimet e Ziadin Selës të jenë më të rëndësishëm se identiteti maqedonas”.

“Është e turpshme të bashkëpunohet me dikë, i cili në fytyrë të mohon dhe të thotë se para 100 viteve as nuk ke ekzistuar”.

Zgjidhja e dytë për dalje nga kriza, shtoi, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me lokalet, njofton AIM.

“Nëse LSDM dhe Zoran Zaev janë të bindur se Platforma e Tiranës është e mirë për të ardhmen e RM-së, atëherë duhet ta ofrojnë para qytetarëve dhe qytetarët mendimin e vet ta thonë në zgjedhje”, saktësoi Zaturoska. /Telegrafi/

 

Exit mobile version