Reality show më i ndjekur në Shqipëri, Big Brother VIP Albania 4, ka publikuar këngën zyrtare të këtij edicioni, e cila mban firmën e banorit G Bani.
Kënga është një ripërpunim i “Tirona”, një prej hiteve më të mëdha të grupit legjendar West Side Family, dhe sjell një frymë të re energjike, të përshtatur për atmosferën e spektaklit.
Duke ruajtur thelbin nostalgjik dhe patriotik të këngës origjinale, G Bani ka shtuar elemente moderne, duke e kthyer atë në një himn të garës brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Fraza ikonike “zhurmë, shumë shumë zhurmë”, që në versionin origjinal shqiptohej nga kryeministri aktual Edi Rama, nuk mungon as në këtë variant të ri, duke i dhënë një nuancë të njohur dhe nostalgjike projektit.
Refreni i këngës përfshin vargje që reflektojnë dinamikën dhe emocionet e spektaklit, duke përshkruar atmosferën e ethshme të lojës dhe sfidat që përjetojnë banorët brenda shtëpisë së Big Brother VIP:
“Big Brother, shtëpia jonë;
Rrimë zgjut deri vonë;
Mes ditës apo mesnatës;
Loja vazhdon;
Big Brother;
Me zarfa të zi, jena VIP,
te TOP-i po na shikon një Shqiptari”
Ky projekt muzikor pritet të shoqërojë të gjitha momentet kyçe të këtij edicioni, duke u bërë një simbol i spektaklit që mbledh miliona shqiptarë para ekranit çdo natë.
Ndërsa reality show vazhdon të mbajë audiencën të gozhduar me surprizat dhe dramën e tij, ky himn muzikor do të jetë padyshim një prej kolonave zanore më të dëgjuara gjatë javëve në vijim. /Telegrafi/