Zana Spahiu ka ofruar dorëheqjen nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Kjo u bë e ditur nga vetë televizioni publik. Ajo tha se në ditët në vazhim do të japë sqarime të tjera lidhur me vendimin e saj.
Dorëheqja vjen pasi RTK ditë më parë ka publikuar një artikull nga një medium boshnjak, i cili përmend dy media kosovare se ‘financohen’ nga Serbia për të dëmtuar Qeverinë e Kosovës.
Spahiu përmes një emaili, kishte kërkuar sqarime se me çfarë baze është publikuar shkrimi në fjalë.
Për artikullin e publikuar janë distancuar edhe disa redaktorë të mediumit publik, ndërsa Bordi i RTK-së kishte kërkuar nga menaxhmenti themelimin e një komisioni për sqarim të detajuar të rastit.
Lidhur me këtë gjatë së enjtes ka raguar edhe redaktori i lajmeve, Jeton Musliu, i cili edhe është distancuar nga ky publikim.
Në një letër të gjatë të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ai ndër të tjera ka thënë se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla, drejtor i RTK-së, dhe Leonora Bërbatovci, për lajmin e “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia.
Pas kësaj, kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka deklaruar se dorëheqja është më e lehta.
Ai tregoi se të enjten është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK.
Ndërkaq, lidhur me rastin ka pasur reagime edhe nga Asocioacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe disa organizata ndërkombëtare.
Spahiu e ka marrë këtë detyrë më 7 korrik, pasi kishte dhënë dorëheqje Shkumbin Ahmetxhekaj./Telegrafi/