Telegrafi

Zakharieva: Metodologjia e re të mos jetë pengesë për bisedimet e Maqedonisë së Veriut me BE-në

Metodologjia e re nuk duhet të pengojë procesin e zgjerimit të BE-së dhe fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, tha sot Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva.

Zakharieva gjatë takimit të sotëm me homologun e saj turk, ndër të tjera tha se u diskutua për metodologjinë e re për zgjerimin e BE-së. Ajo theksoi se për këtë çështje duhet të pritet vendimi i Komisionit Evropian, i cili do të publikohet më 5 shkurt, informon “BGNES”.

“Bisedimet dhe miratimi i metodologjisë së re nuk duhet të jenë arsye për të ndaluar proceset aktualë, siç është fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Zakharieva.

Këshilli i BE-së në tetor 2019 nuk vendosi të fillojë negociatat me të dy vendet, për shkak të kundërshtimit të Presidentit Francez Emmanuel Macron, i cili është angazhuar për negociatat e reformës në BE dhe zhvillimin e një metodologjie të re./Telegrafi/