Telegrafi

Zakharieva: Komisioni i ekspertëve do të fillojë me punë pas përfundimit të zgjedhjeve në Shkup

Shefja e diplomacisë së Bullgarisë Ekaterina Zakharieva, sot ka qëndruar për vizitë në Shkup, ku ka realizuar takime me udhëheqësit politik në vend.

Në lidhje me Komisionin e përzier të ekspertëve në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje arsimore dhe historike, ajo tha se do të vazhdojë punën pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Pozicioni ynë është i qartë. Nuk duam t’i politizojmë komisionet. Ky është proces i dyanshëm. Këtu situata është parazgjedhore dhe kjo nuk është sekret për askënd. Shpresoj se kur do të përfundojnë zgjedhjet, pavarësisht çka do të ndodh në to, menjëherë komisioni do të vazhdojë të punojë sepse ky është plotësim i marrëveshjes që e kemi nënshkruar dhe tregon pjekuri pavarësisht kush është në pushtet”, deklaroi Zakharieva.

Në lidhje me pohimet e OBRM-PDUKM-së se kur do të vijë në pushtet, do të bëjë korrigjim të marrëveshjes me Bullgarinë, Zakharieva tha se deklaratat e tilla janë thënë për shkak të periudhës parazgjedhore./Telegrafi/