Telegrafi

Zagadou mund të transferohet te Interi, francezi i është vetofruar Neroazzurëve

Interi ka filluar fazën përgatitore për edicionin e ri, kur të mërkurën trajneri Simone Inzaghi ka pasur grupin e kompletuar.

Por Neroazzurët ende nuk e kanë kryer punën sa i përket afrimit të futbollistëve.

Një emër i ri për mbrojtjen i është propozuar Interit dhe ai është qendërmbrojtësi francez Dan-Axel Zagadou.

Qendërmbrojtësi shtatlartë u largua nga Borussia Dortmund si lojtar i lirë dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.

Agjentët e lojtarit i kanë propozuar Interit të nënshkruajnë me futbollistin dhe trajneri Simone Inzaghi pritet të marrë këtë javë një vendim, pasi po studiohen të gjitha alternativat.

Milan Skriniar pritet të largohet në drejtim të PSG-së, derisa Gleison Bremer mbetet objektivi kryesor për qendrën e mbrojtjes.

Megjithatë mediumi italian Calciomercato ka shkruar se Zagadou mund të arrijë te Inter edhe nëse nënshkruajnë me Bremerin, pasi francezi do të shihet si alternativë e mirë për mbrojtjen.

23-vjeçari ka qëndruar në pesë vitet e fundit në Dortmund, ku ka zhvilluar 90 ndeshje duke shënuar katër gola e duke asistuar në një tjetër.

Për futbollistin interesim kanë shprehur edhe skuadra të tjera si Roma, Hoffenheim, Nice dhe Olympique Marseille. /Telegrafi/