Vazhdojnë përpjekjet e kryeministrit Zoran Zaev ta arrijë numrin e 80 deputetëve për ndryshimin e Kushtetutës.
Sipas “A1on”, kryeministri deri nuk e ka shumicën e nevojshme. 79 deputetë janë të gatshëm të votojnë ndryshimet kushtetuese dhe mungon një deputet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Panço Minov dhe Liljana Popovska do të votojnë pozitivisht si dhe tetë deputetët nga grupi i pavarur nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni. Problemi është te dy deputetët nga Lëvizja Besa nga krahu i Bilall Kasamit.
Deputetët Teuta Bilalli dhe Fadil Zendeli janë kryesorët ku varen përpjekjet një vjeçare të Zoran Zaevit për të arritur marrëveshje për ndryshimin e emrit dhe Kushtetutës me qëllim anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Kryeministri është ende në bisedime për formulim teknik për shtetësinë, por megjithatë ishte i qartë se shtetësia duhet të mbetet “maqedonase’, por po kërkohet formulim ku do të gjendet zgjidhje e përbashkët e pranuar për karakterin multietnik të vendit.
Nëse nuk arrin të sigurojë shumicën, Zaev njoftoi mbledhje në Këshillin Drejtues të LSDM-së dhe dhënien e përgjegjësisë./Telegrafi/