Site icon Telegrafi

Zaev: Sivjet nuk do të diskutohet anëtarësimi i Kosovës në UNESCO

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë pauzës së Samitit të Durrësit ku takohen kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në deklaratë vlerësoi se ky Samit joformal është vazhdim i Samitit të Triestes dhe çon drejt perspektivave të reja ekonomike dhe euro-atlantike të qytetarëve të gjithë rajonit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Maqedonisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO, kryeministri Zaev tha se: “Nuk ka aplikim të Kosovës për UNESCO, edhe këtë vit kjo çështje nuk do të diskutohet”.

“Unë shpresoj se në momentin kur do të diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të ketë rrethana më të mira, më të përshtatshme për këtë. Rajoni duhet të mbajë qëndrim pozitiv, vetëm me perspektiva para, dhe asesi nuk duhet të jepen arsye që cili do qoftë shtet të prishë marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore. Në të vërtetë jemi të përbashkët në atë që nënkupton interes i qytetarëve të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, e ajo është anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe jetë më e mirë” përfundoi Zaev./Telegrafi/

Exit mobile version