Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, sot pasdite në faqen e tij në Facebook, ka njoftuar se rastin “Haraçi” e ka denoncuar më 22 prill të vitit 2019.
Ai gjatë ditës së sotme është pyetur nga gazetarët në lidhje me datën e saktë kur e ka denoncuar këtë rast në prokurori, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sot u pyeta nga mediumet për datën e saktë kur e kam denoncuar rastin ‘Haraçi’. E kontrollova dhe e njoftoj opinionin se rastin ‘Haraçi’ e kam denoncuar më 22 prill të vitit 2019”, ka shkruar Zaev.
Ai sot para gazetarëve tha se ka mbajtur takim, dhjetëra ditë para se Orce Kamçev t’i dorëzojë dokumentet dhe materialet në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe se në atë takim ka marrë pjesë edhe prokurori shtetëror Ljubomir Joveski dhe prokurorja Vilma Ruskovska.
Më pas Zaev theksoi se datën e saktë do ta kontrollojë në agjendën e tij dhe do ta publikojë deri në fund të ditës./Telegrafi/