Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, është në interes të madh të ndërsjellë dhe është një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët.
Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, siç thekson Rama, i jep fund një historie ku konfliktet e së kaluarës kërcënojnë që të na rikthehen si pengesa në rrugët e së ardhmes.
“Siç e keni ndjekur në mbledhje u fol edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe jemi shumë të inkurajuar. Ky është një gurë themeli për forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. I jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen si pengesa në rrugët e të ardhmes. E përgëzoj kryeministrin për kurajon që ka çuar para programin. Për inicimin e ligjit të gjuhëve në parlament dhe për mbajtjen e një zotimi madhor për gjuhen shqipe. Presim që ligji të kalojë dhe zbatimi të nisë një orë e më parë. Është një tjetër forcim i themeleve të Maqedonisë së të ardhmes. Jemi shumë të kënaqur për praninë tuaj këtu.”, tha Rama.
Ndërkaq Zaev duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, tha se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni si gjuhë zyrtare, ka kaluar fazën e parë dhe tashmë pritet që kryetari i Parlamentit ta kalojë ligjin për miratim. Ai pret që ky ligj të aprovohet në fund të janarit, ndërkaq u bëri thirrje të gjitha partive politike ta mbështesin atë, si shumë të rëndësishëm në rrugën drejt familjes evropiane.
“Gjuha ka kaluar fazën e parë në parlament, dje përfundoi edhe debati i komisionit të çështjeve evropiane, ku u mundësia dhe kjo fazë. Tani duhet që kryetari i parlamentit të caktojë seancën ku do votohet përfundimisht për këtë ligj. Unë ftoj të gjitha partitë të mbështesin këtë ligj, ku qytetarët e bashkisë së dytë për nga madhësia, do të fitojnë një realizim të përdorimit të gjuhës së tyre amtare. Maqedonia pres të mbështesë këtë zgjidhje evropiane. Ligji do të aprovohet në fund të janarit.”, tha Zaev.
Në konferencën e të dy kryeministrave Zaev dhe Rama, u tha se kjo mbledhje hap kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Zaev tha se të dyja vendet e zbatojnë vizionin për ardhmërinë e përbashkët si rajon i integruar në BE. Ai tha se në vitin 2018 edhe Maqedonia edhe Shqipëria do fillojnë negociatat për integrimin në BE, duke shtuar që është e rëndësishme edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe njohja e momentit me shanse për zhvillim rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor nga ana e Shqipërisë. Të dy kryeministrat nënvizuan rëndësinë e kësaj mbledhje të parë të përbashkët mes dy qeverive, duke lënë të kuptohet se në vitet e ardhshme kjo gjë mund të përsëritet.