Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se nuk pret që për shkak të arsyeve politike të ndalohet ekstradimi i Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit nga Greqia në Maqedoni.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë vizitës së tij në Draçevë, Zaev tha se Maqedonia ka bashkëpunim me Greqinë dhe pret që të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe Grujevski dhe Boshkovski, të cilët para disa ditëve u arrestuan në Selanik, të ekstradohen në Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk pres që për shkak të arsyeve politike të mos realizohet e drejta ndërkombëtare. Maqedonia ka marrëveshje të tilla me Greqinë. Edhe në të kaluarën, gjatë pushtetit të kaluar Maqedonia nuk ka pasur problem në gjitha aspektet tjera, përveç problemit me emrin. Kemi bashkëpunim me Greqinë në çdo aspekt të mundshëm”, tha mes tjerash Zaev.
Grujevski dhe Boshkovski u arrestuan nga policia greke më 18 tetor gjatë tentimit që me pasaporta të rrejshme bullgare të udhëtojnë në Budapest.
Ata janë të akuzuar nga PSP në rastet “Fortesa”, “Shënjestra” dhe “Fortesa 2”./Telegrafi/