Kryeministri Zoran Zaev do të realizojë takim me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, gjatë vizitës dy ditore në Bruksel. Ky është takimi i parë i kryeministrit të Maqedonisë me kryetarin aktual të KE-së.
Nga Qeveria informuan se gjatë kësaj vizite në institucionet më të larta të BE-së në Bruksel, më 5 dhe 6 dhjetor, Zaev dhe delegacioni qeveritar i përbërë nga zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, do të kenë takime edhe me përfaqësues tjerë të lartë të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Më 6 dhjetor Zaev do të realizojë takim me kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani. Ditën e njejtë Zaev do të ketë takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe me komisarin për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Johannes Hahn, me çka përfundon programi i takimeve gjatë vizitës dy ditore në Bruksel./Telegrafi/