Kryeministri Zoran Zaev pas vitit të ri planifikon që si politikan, e jo si kryeministër, duke pasur parasysh se do të ketë qeveri teknike para zgjedhjeve të 12 prillit, të udhëtojë në Sofje, ku do të takohet me kryeministrin bullgar Boyko Borissov, me të cilin në mes tjerash do të diskutojë për çështjet historike dhe arsimore.
Siç informojnë nga qeveria, takimi mund të ndihmojë të ecin para punët e Komisionit të përzier për çështje historike dhe arsimore, por shtojnë se pasi vendi do të jetë në proces zgjedhor, nuk është e rrugës që të ndërhyhet në çështje për të cilat të dy vendet nuk i kanë përafruar qëndrimet, siç është çështja rreth Goce Dellçevit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Që të mbahet ky takim joformal në mes Zaevit dhe Borissovit, është dikutuar edhe në vizitën e bartësit të avionëve, ku kanë marrë pjesë kryeministri Zoran Zaev, zv.kryeministrja Radmilla Sheqerinska, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, si dhe kryeministri bullgar Boyko Borissov dhe ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov.
Historianët e Maqedonisë për AIM kanë thënë që kërkesa e palës maqedonase është të mos mbahet takim formal deri në përfundimin e procesit zgjedhor, në ndërkohë Komisioni mund të këmbejë materiale dhe ide për çështjet që janë temë diskutimi./Telegrafi/