Site icon Telegrafi

Zaev: Pandemia nuk duhet ta risë dhunën ndaj grave, çdo grua duhet të jetë e sigurt dhe e mbrojtur

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në tribunën ‘Heshtja nuk është zgjidhje’ që e organizoi Forumi i gruas së LSDM-së tha se çdo grua dhe vajzë duhet të jetë e sigurt dhe e mbrojtur dhe se s’duhet të durojë dhunë as në shtëpi por edhe jashtë shtëpisë.

“Në kohe krize serioze shëndetësore me të cilën ballafaqohet e gjithë bota, të gjithë jemi të vetëdijshëm se qytetarët dhe qytetaret tona për çdo ditë jan nën trysninë e madhe psikologjike nga virusi dhe kjo nuk duhet të jetë arsye për dhunën në familje apo çdo lloj dhune ndaj grave dhe vajzave. Institucionet janë këtu për çdo qytetar, pa dallim gjinie, punojmë në përmirësimin e kapaciteteve dhe efikasitetit të tyre”, tha Zaev.

Ai tha se në këtë kontekst do të ketë harmonizime të ligjeve, vazhdim të politikave për shoqëri të drejtë dhe vendosjen e orëve edukative në shkolla.

“Nga viti i ardhshëm fillon pilot-projekti për vendosjen e orëve për edukim seksual, që duhet të përfshijë edukimin e të rinjve për dhunën seksuale, sjelljen e padëshiruar ndaj vajzave dhe grave dhe diskriminimin gjinor”, tha Zaev i cili shtoi se barazia gjinore do të jetë prioritet i lartë./Telegrafi/

Exit mobile version