Në pyetjen e gazetarëve se a do të kërkohet dorëheqja e zv. kryeministrit Koço Angjushev dhe këshilltares së kryeministrit, Cvetanka Llashkova, në lidhje me skandalin me grandet e Fondit për Inovacione, sekretari i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, në konferencën për shtyp tha se qëndron në atë që tha drejtori i Fondit, Jovan Despotovski. Ai dje tha se ka kërkuar nga kompanitë që në afat për 15 ditë të sqarohen për strukturat e tyre udhëheqëse nëse kanë funksionar publik, ose familjarë të tyre.
“Qëndrimet e Despotovski janë identike me ato të Qeverisë. Interesi publik është mbrojtur, kryeministri bën thirrje që të shikohen të gjitha çështjet. Nëse konfirmohen parregullsitë të gjithë do të përgjigjen në pajtim sipas ligjit dhe procedurave”, tha ai.
Në lidhje me takimin e liderëve Boshnjakovski i përsëriti deklaratat e kryeministrit se në asnjë moment nuk do të pranohet amnistia. /Telegrafi/