Përderisa ka shumicë në Kuvend sa do që të jetë e ngushtë ajo, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Kështu ka deklaruar Kryeministri Zoran Zaev duke thënë se shumica e ngushtë ishte edhe në momentin kur u formuar qeveria.
“Shumica e ngushtë u konfirmua edhe gjatë formimit të Qeverisë. Kjo shumicë edhe tani mbahet në 61 deri në 65 deputetë, varet nga angazhimi i tyre, varet prej pikës së rendit të ditës dhe të ngjajshme. Por në fund të ditës kjo është demokracia. Derisa ekziston shumica, ekziston edhe Qeveria. Kur nuk ka shumicë, gjithsesi politikanët dhe partitë politike, rigrupohen për shumicë të re, nëse nuk formohen, zgjedhjet nuk na ikin”, tha Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai tha se me rëndësi është që zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk planifikohen për vitin 2018.
Shumica e ngushtë parlamentare në Kuvend, shpesh bën pengesa kur ligjet duhet të votohen me shumicë të kualifikuar. Rasti i fundit ishte ai i djeshëm kur me vështirësi u zgjodh kryeprokurori i ri publik. Kuvendit iu desh që ta përsërisë votimin tri herë.