Telegrafi

Zaev: Nuk kam dëshmi për ndikimin rus në Maqedoni

Kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën kushtuar lirisë së mediave në rajon, tha se nuk ka dëshmi për ndikim rus në Maqedoni.

“Nuk kam dëshmi për ndikim rus këtu. Federata ruse është mike e Maqedonisë dhe nuk ka asgjë kundër integrimit të Maqedonisë në BE, por hapur është kundër NATO-s”, tha Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai përkujtoi se nuk ka alternativë për Maqedoninë përveç BE-së dhe NATO-s dhe se Maqedonia “dëshiron miqësi me të gjitha vendet”.

Zaev theksoi se është i njoftuar me informacionet për rrjetet e profileve të cilët përhapin lajme të rreme në rrjetet sociale dhe mediat tradicionale dhe tha se shpreson që do të mund t’i mësojë hollësitë, por ai nuk ka identifikuar vende të cilat përhapin lajme të rreme.

Shefi i Qeverisë së Maqedonisë paralajmëroi se “keqpërdorimi në formën e dezinformimit shumë lehtë reflektohet ndaj sigurisë dhe nuk paraqet liri të fjalës”./Telegrafi/