“Deri para një kohe mezi takoheshim dhe shumë rrallë jemi ulur së bashku, ndërsa kjo që ndodh në tre-katër muajt e fundit është realitet i ri, imazhi i ri i rajonit. Zbatimi i deklaratës për katër liritë e BE-së në Ballkanin Perëndimor, e miratuar në Ohër muajin e kaluar, tanimë po jep rezultate për qytetarët tanë dhe ekonomitë e vendit”.
Këtë mes tjerash e tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët të takimit të tretë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Këtë mëngjes e vizituam Durrësin dhe unë jam akoma nën emocione nga ajo që i ndodhi këtij qyteti. Si fqinjë më të afërt, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë sa më shumë të jetë e mundur dhe sa të jetë e nevojshme. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë, drejtuesve të komunitetit të biznesit në Maqedoninë e Veriut, që të vazhdojnë në solidaritet dhe të japin ndihmën e nevojshme për qytetarët e Durrësit dhe vendeve tjera. Tragjedia e Durrësit na nxiti të përfshinim mbështetje të ndërsjellë në fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat si një shtyllë tjetër në avancimin e bashkëpunimit tonë në rajon”, tha Zaev.
Ai tha se në shkurt, autoritetet kompetente të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë dokumentin e Protokollit të Durrësit për bashkëpunimin me drejtoritë e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Kryeministri Zaev theksoi se liderët në takimin në Tiranë ranë dakord të kërkojnë nga BERZH që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrës në konferencën e tyre të shkurtit, dedikuar energjisë./Telegrafi/