Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, sot në Shkup ka pritur në takim një delegacion të kompanisë Microsoft, e cila udhëhiqej nga Filip Rog – kryetar i kompanisë për Evropën Qendrore dhe Lindore.
Siç njoftojnë nga qeveria, në takim është biseduar për përfundimin e përgatitjeve të cilat duhet të përkthehen në marrëveshje për bashkëpunim mes Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë Microsoft, që kanë filluuar këtë vit në Davos, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Kryeministri Zaev në takim informoi se qeveria është e interesuar për digjitalizim të plotë të administratës publike, si një nga qëllimet e strategjisë për teknologji informatike dhe kompjuterike”, thonë nga qeveria.
Ata shtojnë se në takimin e sotëm vëmendje e veçantë është kushtuar në “kiber sigurinë” dhe mundësitë që Microsoft mund t’i ofrojë në këtë plan.
“Nga kompania Microsoft kanë potencuar se ata janë të njoftuar dhe me vëmendje e ndjekin zbatimin e programit qeveritar në IT kompanitë dhe se janë të gatshëm për pjesëmarrje dhe ndihmë në “startup kompanitë””, thuhet në njoftimin e qeverisë./Telegrafi/