Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, sot u takua me delegacionin e Republikës së Finlandës të udhëhequr nga ministrja për Punë të Brendshme, Marija Ohisalo, e cila është në vizitë në vendin tonë dhe po merr pjesë në Forumin dy ditor të ministrave për drejtësi dhe punë të brendshme BE – Ballkani Perëndimor, në kuadër të kryesimit me Këshillin e BE-së nga ana e Finlandës.
Kryeministri Zaev duke i dëshiruar mirëseardhje ministres Ohisalo, i shprehu edhe falënderim për mbështetjen e Finlandës, e cila për momentin kryeson me Bashkimin Evropian dhe për përpjekjet e saja që Maqedoninë e Veriut të merr datë për fillimin e negociatave me BE-në.
“Qeveria është tërësisht e përkushtuar t’i iniciojë dhe në mënyrë praktike t’i zbatojë të gjitha proceset me qëllim vendosjen e sundimit të së drejtës, demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe sigurisë në vend. Pa zbatimin dhe respektimin e këtyre principeve është e pamundur të flitet për integrimet evropiane dhe euro-atlantike të vendit tonë”, tha kryeministri Zaev, duke nënvizuar se reformat në vend do të vazhdojnë edhe pse sinjali negativ nga BE-ja ndikoi mbi ngjarjet politike në vend, pas të cilave u caktuan zgjedhje të parakohshme me 12 prill të vitit të ardhshëm.
Në takim u fol për metodologjinë e re për negociata të propozuara nga Franca, për të cilën Maqedonia e Veriut është e gatshme të kyçet në mënyrë aktive në miratimin e saj për të përshpejtuar realizimin e perspektivës së vetme për vendin dhe rajonin – anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu u bisedua për respektimin e normave ndërkombëtarisht të njohura për menaxhimin e krizës së emigrantëve si dhe për masat dhe bashkëpunimin që ndërmerren nga vendet e rajonit për tu përballur me tregtinë e njerëzve dhe luftën kundër krimit të organizuar.