Telegrafi

Zaev: Ne i kemi përmbushur kushtet, tani radhën e ka BE-ja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, sot ka pritur në takim homologun e tij çek, Andrej Barbis, ndërsa pas takimin kanë mbajtur konferencë të përbashkët për shtyp.

Zaev para gazetarëve ka folur për mundësitë që shteti të merr datë për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Ai tha se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet, ndërsa tani duhet të veprojë Unioni, njofton Telegrafi Maqedoni.

“100 për qind i plotësuam kriteret. Bashkë me fqinjët tanë Republikën e Greqisë dhe atë të Bullgarisë e realizuam të pamundurën. Marrëveshja e Prespës është më shumë se zgjidhje për një kontest shumëvjeçar. Nuk kemi dilema se do të fitojmë datë për negociata, e rëndësishme është që atë ta fitojmë sa më parë që të jetë e mundur”, tha Zaev duke theksuar se përcaktimi i datës nuk do të thotë vetëm shpërblim për vendin tonë, por edhe parim për vet Bashkimin Evropian.

Ndërsa kryeministri çek Andrej Babis, tha se ata do të bëjnë gjithçka që është e mundur që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në dhe të bëhet anëtare e NATO-s.

“Do të bëjmë çmos që sa më shpejtë të merrni datën për fillim të negociatave dhe të bëheni anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Kur politikanët diçka premtojnë atë edhe duhet ta realizojnë. Shpresojmë se Këshilli i Evropës do të thotë “PO” që të mund edhe zyrtarisht të filloni negociatat për anëtarësim në BE”, tha Andrej Babis./Telegrafi/