Kryeministri i Maqedonisë, pas votimit të propozimit të qeverisë për ndryshimet kushtetuese tha se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë sot kanë sjellur vendim historik për të ardhmen e shtetit.
Ai falënderoi deputetët që votuan “pro” ndryshimeve kushtetuese, sidomos ato të opozitës për të cilët tha se interesin shtetëror e vendosën mbi atë partiak, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Sot deputetët e Kuvendit me shumicë të plotë miratuan propozimin për ndryshime kushtetuese dhe në këtë mënyrë ndoqën vullnetin e popullit. Maqedonia do të jetë pjesë e familjes evropiane, ëndrrat tona do të plotësohen. Do të jemi vend krenar dhe me këtë vendim historik, procesi për anëtarësim në BE do të fillojë vitin e ardhshëm. Dua të falënderoj çdo deputet për këtë vendim dhe ata të OBRM-PDUKM-së të cilët vendosën interesin shtetëror mbi atë partiak. Të gjithë do të jemi krenar me vendin tonë. Na mbetet akoma punë për ta zbatuar marrëveshjen me Greqinë. Paralelisht në këtë proces duhet të punojmë edhe për reformat urgjente”, tha mes tjerash Zaev.
Ai tha se do të urdhërojë Prokurorinë që të hetojnë siç i quajti, shpifjet e OBRM-PDUKM-së për blerje të deputetëve dhe kërcënime ndaj tyre. Ai shtoi se deklaratat e tij për falje të deputetëve të akuzuar për 27 prillin, kanë ndikuar që ata të votojnë “pro”./Telegrafi/