“Besoj se lajmi i mirë i nisjes së bisedimeve me Bashkimin Evropian do të ndikojë pozitivisht në gjithë rajonin por edhe në Bashkimin Evropian dhe do të njihet përparimi i reformave në zgjidhjet e problemeve. Rajoni ka ndryshuar, po përgatitet dhe krijon kushte për zhvillim dhe integrim të mëtutjeshëm”, theksoi kryeministri Zoran Zaev në hapjen e Samitit të ‘Ekonomist’, që mbahet në Shkup.
Ai theksoi se lajmi i mirë për Maqedoninë e Veriut do të jetë lajm i mirë për Bashkimin Evropian, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Një ndër lajmet më të mira periudhën e kaluar ishte zgjidhja e kontestit me Greqinë, i cili kishte implikime serioze negative bilaterale”, tha Zaev.
Sipas tij marrëveshja është katalizator i ndryshimeve për shkak se po dëshmon proces të ri transformues në Ballkan se se për Maqedoninë e Veriut kjo marrëveshje bashkërisht me marrëveshjen me Bullgarinë i hap dyert drejt arritjes së qëllimeve strategjike, anëtarësimi në NATO dhe BE.
“Republika e Maqedonisë së Veriut e mori lajmin e mirë se do të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s. Ndonjëherë harrojmë se ku kemi qenë para dy tre viteve, dhe ku jemi tani. Karriera ime politike është dëshmi se duhet të merrni frymë të thellë kur e keni më vështirë dhe të mos harroni se vizioni juaj janë qytetarët që jetojnë në mënyrë më cilësore vetëm për shkak disa hapave të guximshëm”, Zaev./Telegrafi/