Kryeministri Zoran Zaev i është përgjigjur letrës që e mori nga Papa Françesku me rastin e 1 janarit, Ditës Botërore të Paqes, festë e themeluar nga ana e Kishës Katolike në vitin 1967, që këtë vit i kushtohet krizës së emigrantëve në botë, të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve.
Në përgjigjen dërguar papës, kryeministri Zaev thekson se Maqedonia e pranon shqetësimin e tij dhe i përmbahet angazhimeve se kjo krizë globale humanitare në vitin 2018 do të zgjidhet në bazë të deklaratës për refugjatë dhe emigrantë të Kombeve të Bashkuara dhe se liderët e organizatës botërore do t’i kryejnë përgatitjet dhe do t’i aprovojnë dy marrëveshjet globale.
“Njëra për emigracion të sigurt, të rregullt dhe të drejtë, ndërsa tjetra për refugjatë. E ndajmë edhe shpresën tuaj, të shprehur në mesazhin se me këto marrëveshje do të sigurohet kornizë për propozime për politika dhe masa praktike, si inspirim për avancimin e procesit të ndërtimit të paqes dhe se bashkësia ndërkombëtare do të gjejë mënyrë të kërkojë nga vendet anëtare t’i garantojnë të drejtat e refugjatëve dhe të emigrantëve”, thuhet në përgjigjen e kryeministrit./Telegrafi/