Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në debatin e sotëm me gazetarët nga mediume të ndryshme ka folur për hapat e ardhshëm të qeverisë së udhëhequr nga partia e tij. Ai tha se qytetarët nuk do të paguajnë taksën radiodifuzive dhe theksoi se do të bëjë departizimin e servisit publik, njofton Telegrafi Maqedoni.
Zaev tha se, servisi publik nga qeveria e re do të shfrytëzohet si mjet për komunikata dhe njoftim të publikut dhe jo për reklamim dhe promovim të pushtetit.
Zaevi foli edhe për vendimin e qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik. Ai tha se prokurori i ri duhet të jetë i pavarur, nuk duhet të ketë lidhje me parti politike, por as të lë përshtypje në opinion me qëndrimet e tij.
Kryeministri i ri foli edhe për deklaratat e tij në Serbi, ku kishte thënë se kishat e Kosovës janë zemra e Serbisë. Ai tha se Maqedonia i ka mike edhe Kosovën edhe Serbinë dhe se do ta kuptojnë deklaratën e tij. Zaevi shtoi se, qeveria e kaluar ka gabuar që ka marrë anë në rastin e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është dashur të qëndrojë neutrale dhe se pushteti i Gruevskit ka kontribuar në prishjen e marrëdhënieve me gjithë fqinjët e saj dhe shtoi se problemi nuk mund të jetë tek të gjithë ata, por me Maqedoninë nuk ka qenë diçka në rregull./Telegrafi/