Site icon Telegrafi

Zaev: BE-ja nuk duhet të lejojë që nacionalizmi të vërë veton ndaj lirisë

Foto ilustrim

Ish-kryeministri Zoran Zaev nga konferenca në Strumicë me titull “Sovraniteti dhe Evropa” e organizuar nga Ambasada Franceze, i rekomandoi BE-së që të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes dhe se ideja evropiane nuk guxon të shantazhohet nga nacionalizmi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“E pyes BE-në nga Strumica ime evropiane, e cila kufizohet me Greqinë dhe Bullgarinë, nëse kjo mënyrë e vendimmarrjes në BE, ku një shtet anëtar bllokon një rajon të tërë për arsye jashtëzakonisht irracionale dhe nacionaliste, është një mekanizëm me të cilin zhvillohet ideja evropiane. Nëse jo, dhe e di që nuk është, atëherë ndryshoni mënyrën se si merrni vendimet. BE-ja duhet të veprojë në interesin e saj, në favor të idesë evropiane, e cila sipas definicionit është liberale, e hapur, e gjerë. Ideja evropiane nuk duhet të shantazhohet nga nacionalizmi, nuk duhet të lejojë që nacionalizmi të vërë veton ndaj lirisë”, tha ish-kryeministri.

Ai beson se agresioni rus kundër Ukrainës është arsyeja pse BE-ja duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura në rajon, veçanërisht çështjen tonë maqedonase.

Siç tha ai, nuk ka asnjë justifikim për ndonjë viktimë civile në Ukrainë, nuk ka asnjë justifikim për fëmijët ukrainas, të cilët kërkojnë një shtëpi të sigurt në të gjithë Evropën, dhe nuk do të ketë asnjë justifikim nëse një raketë bie mbi shtëpinë përkujtimore të Krste Petkov Misirkov në Odessa

Sipas tij, kjo është një kohë kur liderët e BE-së duhet të guxojnë t’i adresojnë këto çështje dhe të marrin udhëheqjen politike, siç kanë bërë themeluesit e BE-së./Telegrafi/

Exit mobile version