Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë kryesimit të tij me Komitetin Kombëtar të Investimeve theksoi rëndësinë e zbatimit të projekteve të parashikuara në Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili aktualisht është miratuar nga Komisioni Evropian, si lista e vetme e projekteve të infrastrukturës. Rëndësia e kësaj u theksua nga Ambasadori i BE-së në vend, David Geer në fjalimin e tij.
Në këtë takim, u bë një rishikim për të përcaktuar listën e vetme të projekteve dhe për të parë nëse ato korrespondojnë me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së, i cili planifikon të financojë 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor nën një instrument të ri për ndihmën e para-anëtarësimit të quajtur IPA III.
Në këtë takim, Kryeministri Zaev theksoi se Plani Ekonomik dhe i Investimeve ka një rëndësi të madhe, dhe përveç kësaj si një shtet ne kemi fituar përvojë të madhe në përdorimin e fondeve përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
“Fondet do të drejtohen për investime në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit dixhital si dhe zhvillimit të burimeve njerëzore për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe vende pune, duke inkurajuar zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen në rajon. Deri më tani, mbi 23 projekte me vlerë rreth 2.1 miliardë euro në grante dhe kredi janë zbatuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.
Të pranishëm në takimin online, përveç numrit të madh të ministrave, ishin edhe përfaqësuesit e Qeverisë, Ambasadorët e BE-së, përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, partnerë dypalësh dhe komuniteti i donatorëve me një mision të përhershëm në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/